Për Ju


PËR NDIHMË KONTAKTO
(04) 22 33 408





UNTF në Shqipëri

“Ta bëjmë realitet!” - Projekti I

Reagim i koordinuar kundër dhunës në familje

Një sistem i qëndrueshëm - Projekti II

Përshkrim i projektit në vazhdim

Në vijim të zbatimin me sukses të projektit të parë në Shqipëri të financuar nga Fondi i Mirëbesimit i Kombeve të Bashkuara në Përkrahje të Veprimeve për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (Fondi i Mirëbesimit i OKB-së), gjatë periudhës nëntor 2007 - mars 2010, Rrjeti Kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit ka filluar tashmë një angazhim të zgjeruar në mbështetje të vënies në jetë të ligjit kundër dhunës gjinore në vend.

Projekti i tanishëm trevjeçar me Fondin e Mirëbesimit të OKB-së, i cili administrohet nga UNIFEM si pjesë e Programit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, ka filluar në korrik 2010. Ai po zbatohet në partneritet të ngushtë me autoritetet lokale në 10 bashki, ashtu si dhe me mbështetjen e qeverisjes qendrore. Pesë nga bashkitë ku vazhdon puna i përkasin projektit të parë të Fondit të Mirëbesimit të OKB-së. Ato janë: Shkodra, Rrësheni, Berati, Vlora dhe Pogradeci, ndërkohë që puna parashikohet të shtrihet dhe në: Pukë, Lezhë, Elbasan, Manzë, dhe zonën e Kombinatit në Tiranë.

Qëllimi i projektit është që të krijojë sisteme të qëndrueshme dhe me impakt të qenësishëm në luftën dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri. Kjo do të arrihet përmes:

• Shtrirjes dhe forcimit të Këshillave Kundër Dhunës në Familje të drejtuara nga pushteti lokal, si sisteme ndërsektoriale referimi dhe reagimi të koordinuar të komunitetit për viktimat e dhunës me bazë gjinore, ashtu si dhe zgjerimit të përdorimit të sistemit elektronik të regjistrimit të rasteve të dhunës si dhe mënyrës së trajtimit të tyre, si mjet monitorimi i funksionimit së këtyre Këshillave;
• Mbështetjes së zhvillimit të aftësive të aktorëve qendrorë dhe lokalë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre sipas ligjit kundër dhunës në familje;
• Nxitjes së plotësimit të kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore, të paraqitjes së amendimeve të nevojshme dhe përditësimit të strategjive dhe planeve përkatëse të punës;
• Ndërmarrjes së një fushate për caktimin e linjave të përhershme dhe të konsiderueshme të buxhetit në institucionet qendrore dhe vendore për nismat për parandalimin dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore, si dhe ofrimin e shërbimeve për të mbijetuarat;
• Avokimit të krijimit të bazës së nevojshme ligjore e rregullatore, ashtu si dhe të proceseve të duhura të punës për të mundësuar nënkontraktimin e OJQ-ve nga institucionet qeverisëse për shërbime që kanë të bëjnë me luftën kundër dhunës me bazë gjinore në Shqipëri;
• Dhënies së ndihmës së posaçme teknike për një rrjet të krijuar nga ky projekt me qendrat e këshillimit dhe strehëzat, të cilat u shërbejnë të mbijetuarave të dhunës, të përqendruar në adoptimin e standardeve të përbashkëta të shërbimit, punës me të dhënat, të monitorimit dhe vlerësimit, duke i bërë ato kandidate të mundshme për marrjen e nënkontratave nga institucionet qeverisëse;
• Rritjes së ndërgjegjësimit së shoqërisë dhe përkrahjes së saj në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave;
• Punës me anëtarët e komunitetit, sidomos burrat dhe djemtë, duke përfshirë udhëheqësit fetare, mësuesit, nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët, për ta bërë dhunën me bazë gjinore të papranueshme nga shoqëria;
• Inkurajimi i diskutimeve mbi identifikimin e programeve frytdhënëse për edukimin e atyre që ushtrojnë dhunë.

Partnerët zbatues të projektit, anëtarë të Rrjetit Kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit, të krijuar në vitin 1998, janë: Shoqata Refleksione, Strehëza për Gratë dhe Vajzat e Dhunuara, Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare dhe Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim.