Për Ju


PËR NDIHMË KONTAKTO
(04) 22 33 408





A keni nevojë për ndihmë?

Ç’do të thotë dhunë në familje?

Dhuna në familje merr forma të ndryshme, të cilat përfshijnë:
- dhunë fizike
- dhunë verbale
- dhunë psikologjike
- dhunë seksuale
- dhunë ekonomike

Termat “dhunë ndaj grave” dhe “dhunë me bazë gjinore” përdoren për t’iu referuar një vargu abuzimesh ndaj grave që krijohen nga pabarazia gjinore dhe statusi i nënshtruar i grave në shoqëri në raport me burrat. Në 1993, Deklarata e Vjenës dhe Programi për Veprim përkufizuan dhunën ndaj grave si “një akt i dhunës me bazë gjinore që rezulton në dëmtim fizik, seksual, psikologjik apo vuajtje të grave apo kërcënim për akte të tilla, një shtrëngim apo heqje e paarsyeshme e lirisë, të cilat ndodhin në jetën private dhe atë publike”.
Format e dhunës me bazë gjinore përfshijnë, por nuk janë vetëm: dhuna në familje, abuzimi seksual, përdhunimi, ngacmimi seksual, trafikimi i grave, prostitucioni i detyruar dhe praktika lënduese tradicionale.
Dhuna ndaj grave është një formë e përhapur e dhunimit e të drejtave të njeriut, e cila është llogaritur se mund të prekë, në një formë a në një tjetër, një në tre gra në mbarë botën.

Kërkoni ndihmë apo këshillim, nëse partneri juaj:

• ju keqtrajton fizikisht: ju shtyn, ju godet, gërvisht, ju qëllon me objekte të ndryshme;
• ju kërcënon me thikë ose me armë tjetër;
• refuzon t’ju ndihmojë kur jeni shtatzënë ose sëmurë;
• ju detyron të bëni gjëra seksuale kundër dëshirës suaj dhe/ose ju trajton si objekt seksual;
• ju mbyll në shtëpi dhe ju pengon të bëni gjëra të zakonshme si pazarin, vizita te familjarët dhe miqtë tuaj, biseda me persona të gjinisë tjetër;
• ju detyron të kryeni gjëra poshtëruese;
• kontrollon të ardhurat tuaja financiare dhe e përdor paranë si mjet nënshtrues;
• ju bën të ndjeheni se s’ka rrugëdalje, se dhuna është e merituar dhe duhet duruar.

Një shans tjetër?!

Histori dhune të grave dhe vajzave të strehuara në Strehëz

F.K. kishte dy fëmijë: një vajzë 14 vjeçe dhe një djalë 9 vjeç kur erdhi pranë Strehëzës në Tiranë, në vitet e para të saj. Ishin fëmijë të shkathët, të bukur, por të dobët fizikisht. Madje djali kishte edhe probleme shëndetësore. Nëse do të merrje parasysh problemet e saj familjare, nuk do të habiteshe, madje do të nxitoje për t’i dhënë ndihmën e parë shëndetësore dy fëmijëve.
F. ishte martuar me një djalë, të cilin nuk e kishte parë kurrë para  martese. “Më pëlqeu se ishte i pashëm, jetonte në qytet me të ëmën, kishin shtëpi, tokë”, - tregonte F., e cila vinte nga një familje e varfër fshatare. “Ishte punëtor dhe kujdesej për fëmijët. Gjerat shkonin mirë dhe unë isha e kënaqur që kisha krijuar në shtëpi një ambient të ngrohtë e plot dashuri.”
“Nuk e kuptoj se si ndryshoi aq shumë ai njeri, që e desha dhe tek i cili besoja aq shumë. Një ditë vjen i pirë në shtëpi. Nuk e kisha parë ndonjëherë në atë gjendje, më erdhi keq dhe e ndihmova të shtrihej, por ai filloi të vinte i pirë pothuajse çdo ditë. Më rrihte për hiç gjë dhe nuk donte ta kundërshtoje. Fëmijët ishin të vegjël, i mbyllja nga dhoma dhe ata sikur të më kuptonin, nuk nxirrnin zë. Kisha menduar shumë herë të ikja nga shtëpia, por nuk kisha ku të shkoja me dy fëmijë të vegjël. Kështu, në këto kushte jetova dhjetë vjet.”
“Pas këtyre dhjetë vjetëve të mundimshëm me sakrifica për të rritur fëmijët nën presionin dhe aktet e dhunës, mora përfundimisht guximin për të kërkuar divorcin. Përfitova nga divorci njërën nga dhomat e shtëpisë, ku jetoja me fëmijët, ndërsa në dhomën tjetër jetonte ai me një grua tjetër. Më keqtrajtonte edhe mua, edhe tjetrën.”
“Në moshën 14 vjeç më sëmuret djali i madh dhe për fatin tim të keq e humba përgjithmonë. Gjatë kësaj periudhe të vështirë ish-burri im afrohet me mua dhe fëmijët. Ndërkohë, gruaja tjetër u largua. Vendosëm t’i jepnim edhe një shans tjetër njeri-tjetrit, pa lidhje martesore. Po ditëve të qeta u erdhi shpejt fundi. Ai përsëri pinte, shkonte në lojërat e fatit ku humbte shuma të mëdha parash. U bë shumë më i dhunshëm ndaj meje dhe fëmijëve, madje edhe ndaj nënës së vet, e cila edhe pse e kishte djalë mbante anën tonë.”
“Dhuna ishte shtazarake. Shumë herë kam pasur fraktura në krahë dhe këmbë, më detyronte të kryenim marrëdhënie seksuale dhe vazhdonte të rrihte fëmijët. Vjehrra më dha pensionin e vet dhe me tha të nisesha për në Tiranë, ku gjendej një shoqatë që ndihmonte gratë e dhunuara. Për fëmijët u kujdes ajo. Ika tek ime motër, e cila më ndihmoi të vija në Tiranë. Për fatin tim të mirë, arrita të lija takimin për intervistën.”
‘Sa shumë kisha ëndërruar që dikush të m’i dëgjonte hallet, edhe pse në dy orë nuk mund të përshkruash një jetë me dhunë. Dridhesha e tëra dhe mes lotëve ju lutesha për ndihmë. Kisha frikë për fëmijët që i kisha lënë vetëm.”
F. qëndroi disa muaj në Strehëz bashkë me fëmijët. U mbështet  për të gjetur qetësi, siguri dhe punë. Punonte dy punë. Lodhej, megjithatë dukej e kënaqur, e qetë dhe e lehtësuar. Ishte grua punëtore, e zgjuar dhe e fortë. E dinte se vetëm me punë e dhe duke kursyer mund të zgjidhte kërkesat minimale për jetën e fëmijëve dhe jetën saj. Ajo ishte një nënë e mirë dhe dinte të komunikonte me ta. Vajza ishte inteligjente, e dëgjonte shumë të ëmën dhe ecte shumë mirë në mësime. Edhe djali u diagnostikua dhe u kurua.
Më pas F. u kthye në qytetin e vet. Sot punon në një “Fast-food”. Tashmë e ndihmon edhe djali që i është rritur dhe i është bërë krahë dhe mbështetje në jetën e saj. Ndërsa vajza ka ndërtuar një familje të re.